Sasha Mirkoviq, kryetar i Kllokotit, ka thënë se projekti LOGOS, ka mbështetur Komunën e Kllokotit që nga themelimi i saj si komunë dhe, krahas mbështetjes që i është dhënë kësaj komune në ngritje të kapaciteteve, ka ndihmuar edhe në projekte të ndryshme të infrastrukturës, ndërsa në këtë drejtim së fundmi janë realizuar këto dy projekte me rëndësi ai i trotuarit dhe i pastrimit dhe rregullimit të shtratit të përroskës së fshatit.
“Trotuari u mundëson qytetarëve një qarkullim më të sigurt përgjatë rrugës magjistrale si dhe me hapësirat e gjelbëruara ka përmirësuar pamjen e Kllokotit, kurse rregullimi i përroskës eviton problemin e vërshimeve të cilat në vazhdimësi kanë paraqitur rrezik për familjet që kanë jetuar afër kësaj përroske”, ka thënë Mirkoviq.
“LOGOS është një ndër partnerët kryesorë të Komunës së Kllokotit pasi, falë mbështetjes së këtij projekti, kemi realizuar shumë premtime që u kemi dhënë qytetarëve”, ka Mirkoviq.
Ndërsa Norbert Piljs, koordinatori i projektit LOGOS, është shprehur se ky projekt, pos Kllokotit në projekte të infrastrukturës, ndihmon edhe tetë komuna të tjera të Kosovës juglindore dhe se në të gjitha komunat janë realizuar projekte që janë në interes të qytetarëve. “Kllokoti është Komunë e re dhe ka nevojë për mbështetje, prandaj si projekt i kemi dalë në ndihmë me këto investime që janë propozuar nga qytetarët dhe Komuna”, ka thënë Piljs. Ai ka theksuar se këto dy projekte në Kllokot kapin shumën prej mbi 95 mijë euro.
Në mbështetje të projektit LOGOS të Qeverisë zvicerane, në Kllokot, është ndërtuar trotuari përgjatë rrugës magjistrale Kllokot – Viti në gjatësi prej rreth 600 metra, si dhe është bërë rregullimi i shtratit të përroskës që kalon përgjatë gjithë lokalitetit të Kllokotit. Ky projekt që kap shumën mbi 51 mijë euro, nga zyrtarët komunalë të Kllokotit, është vlerësuar si një nga projektet më të rëndësishme të infrastrukturës në këtë komunë, pasi ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e qytetarëve.